Profili Ideologjik dhe Politik
Hyrje
Proceset bashkëkohore të globalizimit kanë ngushtuar dukshëm hapësirën ideologjike
për organizimin e partive politike. Në demokracitë perëndimore, çdo ditë e më shumë,
është duke u tejkaluar klasifikimi klasik ideologjik i partive politike: në të majta
(socialiste, punëtore, socialdemokrate etj.), që si veçori kryesore kanë parimin
e barazisë dhe drejtësisë sociale; dhe në të djathta (konservatore, demokristiane,
popullore), parimi kryesor i të cilave është përfaqësimi i interesave të shtetit
dhe grupeve të zgjedhura shoqërore, me theks të veçantë në traditën e tyre kombëtare
dhe kulturore.
Aktualisht, strukturë mbizotëruese ideologjike, politike dhe ekonomike e botës bashkëkohore
është globalizmi neo-liberal. Kjo ideologji është duke u përhapur fuqishëm dhe shpejt,
nëpërmjet presioneve detyruese për përshtatje të shteteve të veçanta ndaj kallëpeve
unike të politikave ekonomike dhe sociale, të imponuara nga mega- institucionet
ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Tregtisë, Banka
Botërore etj. Ka kohë që partitë e majta në Europë programet e barazisë sociale
tentojnë t’i zbatojnë nëpërmjet politikave të ekonomisë së tregut të lirë, ndërsa
njëkohësisht, partive të djathta në pushtet, qëmoti u është dashur të pajtohen me
bartjen e shumë kompetencave shtetërore nga kryeqytetet e tyre në Bruksel.
Synimi programor i Partisë së Drejtësisë për integrimin e Kosovës në strukturat
bashkëkohore europiane dhe më të gjera ndërkombëtare, na obligon që, kur bëhet fjalë
për shqyrtimin e profilit ideologjik dhe politik të partisë sonë, krahas realitetit
social, ekonomik, politik dhe kulturor në Kosovë, të mbahen parasysh edhe këto trende
të zhvillimeve politike në rrafshin ndërkombëtar.
Mungesa e koshiencës politike për këto ndërveprime në Kosovën e pasluftës, ndër
të tjera ka rezultuar me faktin se, krahas përpjekjeve shtetformuese, janë anashkaluar
interesat jetike të kategorive më të ndjeshme të popullatës, si pensionistët, jetimët,
familjet e dëshmorëve, invalidët e punës, invalidët e luftës dhe shumë kategori
të tjera në nevojë në shoqërinë kosovare.
PROFILI
Në kontekstin e lartpërmendur, Partia e Drejtësisë nuk bën të lejojë mundësinë e
dezideologjizimit të saj dhe shndërrimit në subjekt politik teknoburokratik, pa
koncepte të qarta ideologjike, që nuk do të reflektojë interesat specifike të qytetarëve.
Përvoja e deritanishme shtatëvjeçare ka dëshmuar se Partia e Drejtësisë, si baraspeshë
në spektrin politik të Kosovës, ka kontribuar për stabilitetin e zhvillimeve politike
në vend nëpërmjet shfrytëzimit optimal të energjive të mirëfillta të shoqërisë sonë.
Si e këtillë, Partia e Drejtësisë është parti politike e qendrës me bazë ideologjike
të demokracisë konservatore, që mbështetet në parimet dhe vlerat, si vijon:
· Sovraniteti i popullit si burim i legjitimitetit politik dhe legalitetit
shoqëror.
· Respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe kundërshtimi i çfarëdo diskriminimi,
në pajtim me ligjin.
· Sistemi demokratik shtetëror me pushtete të ndara legjislative, ekzekutive
dhe gjyqësore, që parandalon dhe kundërshton autoritarizmin, totalitarizmin dhe
ideologjizimin e shtetit.
· Përfaqësimi i interesave të mirëfillta të qytetarëve në vend dhe në diasporë
e jo të grupeve të privilegjuara.
· Zhvillimi i balancuar ekonomik dhe social, në bazë të respektimit të ekonomisë
së tregut të lirë, parimit të drejtësisë sociale dhe politikave të arsyeshme fiskale.
· Vlerat e identitetit dhe traditës, kombëtare dhe kulturore përfshirë ato
fetare, të mbështetura në moral të shëndoshë, individual dhe kolektiv, si gur i
themelit për ndërtimin e politikave shtetërore.
· Sistemi arsimor dhe edukativ, që mbështetet në programe, metoda dhe vlera
të mirëfillta të vendeve të përparuara si dhe në nevoja reale të shoqërisë kosovare,
me theks të veçantë në promovimin e unitetit të qenies fizike dhe shpirtërore të
njeriut dhe unitetit të identitetit kombëtar dhe fetar, si mekanizëm efikas parandalues
i dukurive negative shoqërore.
· Toleranca dhe bashkëpunimi ndëretnik dhe ndërfetar, si parakusht për stabilitetin
e unitetin shoqëror, dhe kultura e përgjegjësisë, integrimit dhe dialogut si shtyllë
e veprimit politik.
· Kundërshtimi i prerë i ideologjive ekstreme, si rreziqe serioze për zhvillimin
harmonik dhe përparimin shoqëror.
· Luftim pa kompromis i të gjitha dukurive negative shoqërore, mbështetur në
shembullin personal dhe partiak.
· Zhvillimi gradual dhe i planifikuar i ndryshimeve shoqërore, që parandalon
ndarjet, polarizimet dhe konfliktet.
· Ruajtja dhe përparimi i diversitetit shoqëror, si mundësi për njohje të ndërsjellë,
nën përkujdesjen e organizuar të shoqërisë së zhvilluar civile.
· Promovimi i bashkëpunimit ndërkombëtar si bartës i proceseve integruese të
shoqërisë sonë.
PËRFUNDIM
Partia e Drejtësisë është parti politike e qendrës me bazë ideologjike të demokracisë
konservatore, që si synim themelor programor nuk e ka luftën e verbër për pushtet,
por, para së gjithash, integrimin e koncepteve të saj politike në politikat shtetërore.
Vlerat morale dhe etike të udhëheqjes politike përbëjnë premisën për qeverisje të
suksesshme dhe garanci për përvetësimin e efekteve pozitive të proceseve të globalizimit
dhe të modernizmit si dhe parandalimin e dukurive negative në shoqëri.
Partia e Drejtësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë promotor i fuqishëm i këtyre vlerave
në skenën politike kosovare.